Transmetuar më 21-06-2017, 13:29

Dy drejtorë burgjesh janë shkarkuar sot nga ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Drejtori i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Berat, Arif Dervishi dhe ai i Kavajës, Durim Perja, janë shkarkuar me motivacionin e përdorimit të veprimtarisë së institucionit për qëllime politike, pjesëmarrjes së paligjshme në fushatë zgjedhore dhe keqmenaxhimit të institucionit.

Kjo vendimmarrje e z. Bardhi erdhi pas inspektimeve të realizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Po ashtu, ministri Bardhi ka pranuar edhe dorëheqjen e drejtorit të burgjeve në Elbasan, Renato Minolli.

Në njoftimin për mediat thuhet se “ministri i Drejtësisë z. Bardhi gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtarë që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht”.

Ministri teknik ka një apel edhe për qytetarët, të cilët i fton të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit. /k.k/noa.al/