Transmetuar më 21-06-2017, 13:26

Në dy vjetorin e zgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i socialist, Ervin Bushati inspektuan sot ambientet e parkimit nëntokësor të ndërtuar në Bulevardin e Ri të Tiranës, i cili ka një kapacitet prej 328 vendesh dhe nga sot është në shërbim të qytetarëve.

Veliaj vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në kaq kohë duke mundësuar realizimin e projekteve, të rëndësishme.

Ai deklaroi se sot hapet një pjesë e dytë e projektit të bulevardit, i cili është parkingu i dytë nëntokësor në Tiranë, pas atij te sheshi “Skënderbej”.

“Dy vite më parë as imagjinohej që Tirana të kishte disa parkingje nëntokësore. Sot hapim të dytin, ndërkohë që brenda vitit do të fillojmë parkingun te stadiumi “Qemal Stafa”, te sheshi “Italia”, për të zgjidhur edhe aty problemin e parkingut. Sot është një ditë shumë e veçantë për mua sepse bëhen fiks dy vjet nga zgjedhja ime si kryetar bashkie, kur populli i Tiranës më bekoi me ndoshta punën më të bukur që një njeri mund të ketë në jetë, t’i shërbejë qytetit të vet. Më vjen mirë që ky investim përkon me këtë ditë shumë të shënuar dhe shumë emocionale për mua”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se ky investim përveçse do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së parkimit për shumë qytetarë, do të lehtësojë edhe trafikun e makinave që vështirësohet shpesh herë prej parkimeve të gabuara nëpër rrugë.

“Parkingu i ri nëntokësor ka 328 vende parkimi, do të thotë që zgjidh të gjithë ngërçin e zonës së ish Stacionit të Trenit. Këtu ka shumë institucione shtetërore, është pranë hipotekave, pranë burgut, pranë disa gjykatave, është pranë një pjesë të institucioneve universitare, pranë maternitetit, pra ka shumë institucione të cilat kanë nevojë për parkim. Parkimi këtu është shumë afër, madje për ata që parkojnë me orë të zgjatura u bie më lirë të parkojnë nëntokë sesa në rrugë”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi faktin që ky parkim ofron kushte të larta sigurie për makinat, ndërsa bëri të ditur se ashtu si edhe në parkimin nëntokësor të sheshit “Skënderbej”, ofrohet mundësia e karikuesve për makinat që funksionojnë me energji elektrike.

Duke iu referuar ceremonisë së mbrëmshme të hapjes së segmentit të parë të Bulevardit të Ri, Veliaj bëri të ditur se tashmë Bashkia e Tiranës është duke punuar edhe për përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit të kësaj zone.

Ai shtoi se përveçse qyteti arrin një balancim të zhvillimit të tij, Bulevardi i Ri i Tiranës do të ndikojë në mënyrë direkte edhe në rritjen e vlerës së pronës për të gjithë ata që kanë prona në këtë zonë.