Transmetuar më 21-06-2017, 12:59

Nga takimet me ish-­ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, te të “të falat” e dërguara për Emiljano Shullazin nga ish-zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ, Ylli Alushi. Gjithë këto dhe rrethana të tjera u përmendën dje te Krimet e Rënda gjatë një seancë gjyqësore të pazakontë të ballafaqimit mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqja, të cilat janë zbardhur nga “Panorama”.

Biseda e plotë:

Shullazi: Meqë e njihje, pse nuk shkove tek Ylli Alushi ti, meqë ishte nëndrejtor te Shërbimi Informativ?

Beqja: Me Ylli Alushin kam miqësi të vjetër. Ai sportist, unë sportist. Për këtë problem që kam pasur me të pandehurit unë nuk i kam thënë gjë atij, pasi derisa shkuam te noterja, ku i dhashë pronën Fejzi Kodrës kemi qenë në rregullta. Pastaj u bënë të tjerë njerëz këta.

Shullazi: A më ke sjellë përshëndetje nga Ylli Alushi ti? Me ke sjellë të fala.

Beqja: Nuk më kujtohet.

Shullazi: Atë dite te noterja ishte vetëm ti?

Beqja: Isha me shoferin tim, Besnik Musain

Shullazi: Ai e pa kur të vura dorën në qafë?

Beqja: Besoj se po. Besniku më tha: ti i ke miq këta, ç’ishte ajo.

Shullazi: Po noterja e pa kur të vura dorën në qafë?

Beqja: Nuk e di atë. Unë besoj se po, por unë them çfarë pashë unë, jo ç’panë të tjerët.

Shullazi: Çfarë të thashë unë aty jashtë?

Beqja: Me the, të gjitha lekët që të kanë kaluar i dua unë. Dua dhe 30 për qind nga prona. Do të m’i kalosh brenda dy muajsh.

Shullazi: Sa lekë më dhe ti mua?

Beqja: Fillimisht të dhashë 50 mijë euro. Pas gati 20 ditësh i dhashë Gilmandos 80 mijë euro.

Shullazi: A the që gjithë lekët i ke dhënë brenda një muaji? Nuk të del llogaria kështu. I bie që më ke dhënë çdo 2­3 ditë.

Beqja: Unë nuk do bëj llogari tani këtu.

Shullazi: Ku i more lekët ti?

Beqja: I tërhoqa nga banka.

Shullazi: Po herën tjetër?

Beqja: Shumat kanë qenë 60, 70, 80 mijë euro. Ia kam dhënë Gilmandos.

Shullazi: Sa gjithsej?

Beqja: 410 mijë euro. Pastaj t’i kam dhënë me çek.

Shullazi: Po pasi morëm çeqet?

Beqja: Më kërkuat prapë lekë. Gilmando më thoshte “ke noi gjethe?”. Ju thashë që jua dhashë që të gjitha.

Shullazi: Më 5 janar 2015 mua më është bërë një atentat. A ke ardhur për vizitë ti në shtëpinë time?

Beqja: Jo. Vetëm kur me keni thirrur.

Shullazi: S’ke ardhur ë?

Beqja: Ç’punë kam unë me atentatet tuaja?