Transmetuar më 21-06-2017, 11:46

Pas ekzekutimit mafioz të një 40-vjeçari nga Tropoja në banesën e tij, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë qytetin e Vlorës, pasi një automjet shpërtheu me tritol. Burime nga policia bëjnë me dije për ‘BalkanWeb’ se automjeti ishte në pronësi të Elton Ismailit. Ky i fundit fill pas ngjarjes pohoi se ishte në banesën e prindërve gjatë kohës kur ndodhi shpërthimi.

“Makina ishte parkuar afër banesës së prindërve të mi. U alarmova nga shpërthimi i fuqishëm”, tha Ismaili.

Vite më parë Elton Ismailit i janë vrarë në atentat disa familjarë, ndërsa nuk dihet nëse ngjarja në fjalë ka lidhje me këto ndodhi. Ismailit i kishin varë vëllanë, motrën, dajën dhe ortakun e tij. Ai theksoi se deri më tani për këto vrasje nuk kishte ende një autor.

“Ishim 4 metra larg vendngjarjes, fati jonë që shpëtuam. Kam pasur kërcënime edhe në të kaluarën. Më janë vrarë familjarë dhe për asnjë nuk ka autor”, tha ai.

INTERVISTA

Kur ndodhi shpërthimi?

Në orën 9 kishte shkuar tek shtëpia e plakut familjarisht për vizitë. Kemi qëndruar dy orë. Sa hapëm derën e shtëpisë, dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. U shtrimë përtokë. U alarmuam, mjeti ishte copë-copë. Fati jonë që shpëtuam se ishim 4 m larg.

Keni pasur kërcënim më parë?

Kërcënim nuk kam pasur më kanë ndodhur ngjarje të rëndë. Nuk ndihemi të sigurt.

E dini se kush janë autorët?

Në këto vrasje asnjë autor të kapur.

Po ju keni marrë kërcënime gjatë kësaj kohe?

Para disa vitesh pranë pronës time tek xhamia kam pasur një ngjarje dhe ajo nuk u zbardh. Të gjitha janë të pazbardhura. Nuk e di se nga më vonë këto gjëra, të zbardhen ngjarjet dhe autorët të vihen para përgjegjësisë.