Transmetuar më 21-06-2017, 10:29

Përleshen simpatizantët e dy forcave politike në Dibër, duke bërë që një efektiv policie të arrestohet dhe tre të tjerë të vihen nën hetim.

Efektivët e policisë dhe strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Dibrës, kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale të “Shpërdorimit të autoritetit policor”, Demir Deda, 26 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës, punonjës policie në Portin e Durrësit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës. 

Arrestimi i tij u bë pasi rreth orës 01.00 ta natës së lënë pas, policia ka marrë njoftim se në vendin e quajtur Ushtelenxë, njësia administrative Tomin, bashkia Peshkopi, në rrugën e fshatit Ushtelenxë, po ndodh një konfrontim midis simpatizantëve të dy subjekteve politike.

Kjo pasi disa banorë të fshatit Ushtelenxë, simpatizantë të një subjekti politik kanë bllokuar qarkullimin e dy mjeteve në rrugë të një subjektit tjetër politik duke u konfrontuar verbalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin.

Efektivët e policisë shkuan në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës, normalizimin e saj dhe kryerjen e veprimeve proceduriale.

Nga efektivët e policisë u bë kontrolli fizik i dy automjeteve dhe disa personave të përfshirë në konflikt, ku në automjetin tip “Range Rover”, që drejtohej nga Deda mbështetës i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, të cilën ai deklaroi se e mbante me leje për shkak të detyrës si punonjës policie.

Përveç këtij automjeti, në shoqërinë e tij ka qenë dhe një automjet tjetër tip “Land Rover”, me mbishkrime e logo të një subjekti politik, ku u bë kontrolli i imtësishëm, nga ku nuk u konstatua asnjë send apo material i kundaligjshëm.

Gjithashtu, u kryen veprimet proceduriale dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë e Dibrës ndaj mbështetësve të Partisë Demokratike D.R., 36 vjeç, banues në Peshkopi, M.Z., 27 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë dhe K.S., 23 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë.

Lidhur me këtë rast materialet i’u referuan Prokurorisë së Dibrës për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ”Prishja e qetësisë publike” dhe “Kanosja”. /a.y/noa.al

Foto arkiv