Transmetuar më 21-06-2017, 07:45

Dalin detaje të reja lidhur me ekzekutimin e së martës mbrëma në Vlorë. 40-vjeçari Fatjon Sinani nga Tropoja u ekzekutua me armë zjarri në banesën e tij, rreth orës 22:10, në lagjen “Partizani” pranë rrugës së spitalit.

Mësohet se ai u vra në sy të bashkëshortes me katër plumba, ku për pasojë gjeti vdekjen. Autorët i trokitën në derë dhe sapo ai e hapi, shkrepën armën mbi të.

Viktima prej katër vitesh ishte transferuar nga Tropoja në Vlorë, ku jetonte në një shtëpi me qera dhe punonte si punëtor ndërtimi, ndërsa e shoqja ishte rrobaqepëse.

Nga të dhënat paraprake nuk rezulton që Sinani të jetë me precedentë penalë, ndërsa dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të tij të mëparshëm në Tropojë.

Ndërkohë rreth një orë pas krimit, në lagjen “28 Nëntori” pranë vendit të quajtur “Shtëpia e Oficerave” u gjet i braktisur një automjet tip Benz 2500 me targë gjermane SNBB 220, ngjyrë gri.

Dyshohet se ky mjet mund të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Sinanit.

Si rezultat i reagimit të policisë, në ndjekje të autorëve është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i njërit prej autorëve të dyshuar në dalje të lagjes “Partizani”, Neritan Qejvani, rreth 42 vjeç, me të cilin po punohet për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë dyshohet se ai është ndihmuar edhe nga një person tjetër, i cili ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira. /a.y/noa.al

Gjendet një automjet i braktisur në Vlorë, dyshohet se është përdorur për vrasjen

Ekzekutohet me armë zjarri një person në Vlorë, arrestohet një person

Ekzekutohet në hyrjen e pallatit me plumb në kokë një person në Vlorë