Transmetuar më 20-06-2017, 22:04

Stacioni Qendror i Trenave në Bruksel u evakuua pas raporteve për një shpërthim.

Policia belge tha se situata është nën kontroll.

Një person që mbante një rrip shpërthyes u neutralizua brenda stacionit, thanë mediat belge. Agjencia Reuters tha se ushtarët që patrullonin në stacion, neutralizuan një person pas një shpërthimi të vogël. Sipas Reutersit, “nuk ka viktima të tjera”.

"Ka ndodhur një aksident në Stacionin Qendror. Ka pasur një shpërthim rreth një personi, i cili u neutralizua nga ushtarët që ishin në vendin e ngjarjes", tha një zëdhënës i policisë.

Në mars të vitit 2016, 32 persona kanë vdekur nga sulmet në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion të metrosë së qytetit.

Përgjegjësinë për këto sulme e ka marrë grupi militant Shteti Islamik, transmeton Evropa e Lirë. Stacioni Qendror i Brukselit është një nga tre terminalet kryesore në qytet.