Transmetuar më 20-06-2017, 20:48

Në një takim të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kavajë, Ilir Meta deklaroi se do të nisë vettingu “për faqeziun që e mbuloi vendin me drogë”.

“Flet për vetting, por e mbuloi Shqipërinë me drogë; ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe transparenca; nuk ka lidhje me të majtë apo të djathtë, por vetëm me tepsinë dhe kusinë e tij; nuk la trafikant pa futur në Parlament dhe bën moral për drejtësi”, tha Meta, duke iu referuar kryeministrit Rama.

Presidenti i zgjedhur shtoi se oligarkëve u kanë mbetur edhe 5 ditë, e më pas i pret opozita. “Edhe 5 ditë dhe oligarkët, ata që marrin vendime pas shpinës së qytetarëve, ata që marrin koncensionet dhe pasuritë publike, ata që nuk japin kurrë llogari dhe nuk marrin përgjegjësi, do të ikin në opozitë”, theksoi Meta.

Ai theksoi se Shqipëria nuk do të jetë më e oligarkisë. “Do të çlirojmë edhe Edin edhe Lulushin nga oligarkia. Ne do të bëjmë një marrëveshje në dritë me të gjithë shqiptarët më 25 qershor. Ne do t’ia japim Shqipërisë intelektualëve.”, u shpreh Meta. 

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e radhës elektoral në qytetin e Elbasanit. Rama i ktheu reston akuzave të LSI, kur tha se ka dalë nga binarët dhe se reformat i votuan për të qëndruar tek tepsia.

 “Më vjen keq që aleatët tanë sot kanë dalë nga binarët e arsyes dhe çirren dhe kërcënojnë. Në vend që të jenë krenarë për reformat ata sulmojnë. Kjo të bën të kuptosh se reformat i kanë votuar, jo se kanë dashur të mirën e vendit, por se kanë dashur të rrinë tek tepsia”, tha Rama.

Ndër të tjera Rama komentoi edhe programin ekonomik të PD-së dhe takimin e Bashës me Trump në SHBA. “Ekonomia nuk rritet duke kopjuar ekonominë e Evropës, pasi Evropa është ekonomi e zhvilluar. Njeri thotë kam program gjermano-ekonomik dhe kërkon të shesë një fotografi me presidentin e Amerikës, por jam i sigurt se po ta shohë Trump atë foto nuk e njeh kush është ky çuni. Këta janë një tufë artistësh cirku. Votat për ta janë vota të hedhura në lumë. Po të donim ne pushtet për vete, Basha do të ishte në çadër tani", tha Rama.

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë takimit elektoral përmbyllës në Vlorë, deklaroi se prioriteti kryesor i tij dhe i qeverisë së tij pas 25 qershorit do të jetë rritja e ekonomisë dhe ulja e taksave. Ai tha se në këto 4 vjet Vlora dhe vlonjatët i kanë provuar më mirë nga të gjithë mashtrimet e Edi Ramës i cili sipas tij nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra.

“Taksat e larta, çmimet e larta, arroganca, harresa totale për rininë vlonjate, u bënë 3 sezone turistike që Vlora nxin dhe nuk u zbardh sepse nuk e ndërtove lungomaren.

Janë vite dështimi të paralajmëruara për premtime të pambajtura, për prioritete të gabuara. Pas 4 vitesh braktisjeje, arrogance dhe përbuzjeje dhe prioritetesh të gabuara që kurrë nuk prodhuan një lek, vjen sërish me të njëjtat premtime. Ramës i kanë mbetur mashtrimet e fundit, para se Vlora e bashkuar ti prijë fitoren Republikës së re”, u shpreh Basha.

Më tej ai theksoi se “Republika e re” do të ulë çmimin e energjisë, do të heqë taksën Rama, do të ulë taksën për biznesin. “Përmes eliminimit të tvsh-së për gjithë paketat turistik ne do ti japim vlonjatëve mundësinë që të tërheqin sa më shumë turistë dhe paratë të jenë për xhepat e tyre dhe jo për pushtetarët e pangopur. Ne nuk jemi këtu për timonin e Lulzim Bashës, sepse timoni i përket gjithsecilit prej jush, asnjë shofer tjetër nuk e di më mirë se shqiptarët rrugën. Me Lulzim Bashën kryeministër prioritet do të jetë motori i ekonomisë’, tha Basha. /b.l/noa.al/