Transmetuar më 20-06-2017, 20:02

Çështja e përfolur shumë kohët e fundit, në lidhje me akuzat që pronari i një dyqani kafshësh në rrugën “Myslym Shyri”, Artan Zabeli, ngriti kundër dy personazheve të njohur të ekranit, Roza Lati dhe Iva Aliko, ka marrë fund sot. Më në fund, është mbyllur kalavari i gjatë i akuzave nga të dy palët.

Në seancën e sotme të gjyqit, Roza Lati ka dalë mjaft e kënaqur së bashku me Iva Alikon sepse akuza e pronarit të dyqanit është hedhur poshtë, duke qenë se ky i fundit nuk ka pasur asnjë fakt për çfarë ka akuzuar.

Në një video ku Roza dhe Iva festojnë rrugëve të qytetit, ajo ka shkruar: “Mbyllet çështja e shumëpërfolur me paditës Artan Zabelin e me të paditura Roza Latin dhe Iva Alikon, të akuzuara pa asnjë provë, për pasojë gjykata mbylli çështjen. Por beteja vazhdon, tani me prova të pakontestueshme nga ana jonë ndaj dyqanit “Tani” në Myslym Shyri”, ka përfunduar Lati.

Pak kohë më parë, vajzat e njohura të ekranit kanë akuzuar pronarin e dyqanit të kafshëve në "Myslym Shyri", Tanin,  duke e konsideruar mashtrues dhe keqtrajtues pasi kafshët që shiste, i mbante në kushte të mjerueshme.