Transmetuar më 20-06-2017, 17:27

Ilir Meta llogaritet të jetë politikani me ndikimin më të madh mbi liderët shqiptarë në rajon, tashmë që Sali Berisha nuk është më pjesë e politikës së ditës, ndërkohë që Edi Rama vlerësohet që s’ka arritur të ketë ndonjë relevancë në këtë rrafsh dhe është shfaqur tejet joserioz me fqinjët në Ballkan. 

Si një prej politikanëve me përvojën më të gjatë, Meta thuhet se ka njohje dhe kontakte të vazhdueshme me politikanët kryesorë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Ai, madje, sipas mediave kosovare, pohohet të ketë qenë njeriu kryesor për unifikimin e krahut të luftës në Kosovë, muajin e kaluar, kur tri partitë kosovare, PDK-AAK-Nisma u bënë bashkë në koalicionin parazgjedhor atje.

Kjo është konfirmuar nga politikanë të rëndësishëm atje. Driton Selmanaj, deputeti i ardhshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë koalicion e kishte quajtur “Koalicioni i Ilir Metës”.

Ilir Meta ka ndikim edhe në Maqedoni, veçanërisht kur bëhet fjalë për unifikimin e shqiptarëve të atjeshëm.  Ali Ahmeti, Kryetari i BDI-së, e ka potencuar disa herë këtë rol të Metës.

“Unë dhe Arbën Xhaferi për herë të parë u takuam me ndërmjetësimin e Ilir Metës, asokohe Kryeministër i Shqipërisë”, ka thënë ai, duke kujtuar kohën e konfliktit në Maqedoni dhe kur shqiptarët ishin plotësisht të ndarë.

“Pas atij takimi, ne vepruam si një trup dhe kjo kishte ndikim të madh në rrjedhën e mëpasshme të luftës”, ka shtuar Ahmeti, ish-lideri i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Po ashtu, sipas mediave, Meta ka kontakte dhe ndikim të madh edhe mbi liderët shqiptarë në Mal të Zi. Kështu, Ilir Meta ka zënë vendin që e mbante për dekada me radhë, në sytë e ndërkombëtarëve, Sali Berisha, si politikani i vetëm që mund të ndikojë mbi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Ky shihet si një oportunitet i jashtëzakonshëm për Metën, sidomos në këtë fushatë ku partia e tij, sipas gjitha sondazheve, ka rritje të ndjeshme. /noa.al/