Transmetuar më 20-06-2017, 17:02

Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila ka vendosur që të zhvendosë KZAZ-në 80-të në Dropull, dhe ta kalojë atë në Grapsh. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, e cilësoi këtë vendim të KQZ-së, si një akt të rëndë provokativ që ju bëhet votuesve të Bashkisë së Dropullit, duke theksuar se pas këtij vendimi fshihen PS dhe PD.

“KQZ në papërgjegjshmëri të plotë dhe me absurditetin e një akti që nuk ka logjikë, ka vendosur në mbledhjen e djeshme ta zhvendosë qendrën e KZAZ-së 80 nga vendi tradicional ku ka qenë e vendosur gjithmonë në ambientet e shkollës në fshatin Jorgucat, duke e zhvendosur në Grapsh.

Në thelb është një përpjekje djallëzore për të mos bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve në KZAZ-në 80 të Bashkisë së Dropullit. Është një përpjekje e ligë për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve normale në Bashkinë e Dropullit. Pas këtij produkti përfshihet në prapavijë Rilindja dhe aneksi i Rilindjes të bëra një.

Kryetari i Bashkisë së Dropullit i është drejtuar me shkresë edhe Prefektit të Gjirokastrës, edhe KQZ-së, dhe ku ka kërkuar të mos zhvendoset KZAZ-ja. Ky është një akt provokativ, pasi qytetarët e Dropullit diskriminohen duke mos votuar si gjithë qytetarët shqiptarë në 25 qershor”, deklaron Luan Rama.

Më tej ai i bëri apel KQZ-së që të shqyrtojë kërkesën e saj dhe të kthejë këtë KZAZ atje ku ka qenë në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara më herët.

“Qytetarët shqiptarë votues të Bashkisë së Dropullit, vëllezërit tanë minoritarë. Ky është edhe një akt tjetër provokativ që cënon marrëdhënien midis dy vendeve tona. KQZ ka shansin dhe përgjegjësinë ta korrigjojë idiotësinë që ka bërë vetë dhe të kthejë KZAZ-në e Dropullit atje ku ka qenë tradicionalisht”, u shpreh Rama. /b.l/noa.al/