Transmetuar më 19-06-2017, 16:10

Një vajzë e re në Durrës ka tentuar që t’i japë fund jetës tragjikisht duke prerë damarët. Gjithçka ka ndodhur këtë të diel, ku 24-vjeçarja Sh.H., ka prerë damarët e njërës dorë me thikë.

Babai i saj A.D., 46 vjeç banues në Durrës, pasi ka çuar të bijën në spital, i është drejtuar policisë për denoncim.

Ai ka thënë se e bija ishte aktiviste në një kishë dhe prej disa kohësh kishte shfaqur sjellje të dyshimta.

Noa.al mëson se e reja, e cila pas ndihmës së marrë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ishte aktiviste te “Kisha e Jezu e Krishtit, e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme”.

Pas kallëzimit të 46-vjeçarit dhe dyshimeve se vajzat e kishës mund ta ketë shtyrë të renë drejt një akti të tillë, policia nisi hetimet.

Kjo bëri që të nisin hetimet për shtetaset M.M., dhe C.H., që të dyja 20 vjeçe, misionare në kishën që frekuentonte e reja.

Lidhur me këtë ngjarje materialet i’u referuan Prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”. /a.y/noa.al