Transmetuar më 19-06-2017, 09:54

Sa më shumë shtohen makinat, aq më tepër kufizohen hapësirat e parkimit. Kjo rrit kohën që automjetet shpenzojnë duke qarkulluar në qytet. Si rrjedhojë, prodhon më shumë trafik, më shumë humbje kohe dhe rrit ndotjen. Këta tre elementë janë shkaktarët kryesorë të stresit në rrugët e qyteteve, prandaj, institucionet dhe kompanitë private në Europë janë duke gjetur forma për të lehtësuar këtë proces, duke i hedhur sytë nga teknologjia. Kompani të mëdha që investohen në kërkimet teknologjike, si Deutsche Telekom në Gjermani, kanë filluar të zbatojnë disa platforma që kanë të bëjnë me menaxhimin e rrugëve të qyteteve në mënyra më efikase, si për shembull Smart Parking.

Smart Parking ose Parkimi i Mençur nënkupton një sistem sensorësh, të cilët vendosen në çdo hapësirë parkimi dhe raportojnë në kohë reale kur një vend parkimi është i lirë ose i zënë.

Ky informacion, përcillet përmes një aplikacioni, i cili mund të instalohet në çdo telefon të mençur (smartphone).

Në këtë mënyrë, vendi i lirë i parkimit tregohet në hartën e GPS. Kjo platformë parkimi duket shumë e thjeshtë në përshkrim.

Por që institucionet shtetërore ta vënë në jetë, duhet mbështetje nga operatorë të fuqishëm. Këto kompani bëjnë të mundur shtrirjen e infrastrukturës së rrjetit, mundësimin e serverave ku përcillet informacioni, krijimin e aplikacionit, mirëmbajtjen e rrjetit dhe të aplikacionit, si dhe rregullime të mundshme në rast problemesh.

Në Shqipëri, ka filluar të ketë disa përpjekje për të integruar platforma lehtësuese për parkimin, siç është SMS Parking, platformë e cila u prezantua para pak muajsh në qytetin e Tiranës.

SMS Parking është një mënyrë e re për të paguar vlerën e parkimit, vetëm përmes dërgimit të një SMS-je.

Avantazhi i këtij sistemi është se qytetari kursen kohën duke mos pritur asistencë njerëzore dhe duke shmangur radhën në sportele për të paguar.

Gjithashtu, sa herë duhet të rinovohet pagesa e parkimit, mjafton të dërgohet përsëri një SMS, pa qenë i pranishëm në vendin e parkimit.

Projekte të tilla bëhen në kuadër shfrytëzimit të qytetit në mënyra më të mençura dhe janë një provë sesi teknologjia mund të ndërlidhet me çdo aspekt të jetës, duke ndihmuar përditshmërinë e qytetarëve.

ENGLISH VERSION