Transmetuar më 17-06-2017, 10:21

Kryebashkiaku Erion Veliaj garantoi sot se Bashkia e Tiranës është gati që të nisë nga puna për projektin e ndërtimit të 20 shkollave të reja në kryeqytet.

Gjatë takimit në një kafe me të rinjtë e njësinë nr. 9, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama dhe kandidatët socialistë për deputetë Saimir Tahiri dhe Ogerta Manastirliu, Veliaj zbuloi dhe propozimin për përballimin e fluksit të atyre që duan të studiojnë në gjimnazet kryesore.

“Ne jemi gati për 20 shkollat, do hapin konkurse, do i ndajmë në katër lote. Ka gjithmonë një fluks të atyre që duan shkolla me reputacion, Samiu, Petro Nini, Ismaili, por me drejtorinë arsimore një ide që kemi menduar është që në qoftës e është kaq me merak çështja e diplomave, shumë prej shkollave të reja, pra një shkollë tjetër në njësinë Nr. 9 mund të jetë një “Sami Frashëri 2”. Pra mund të ketë një administratë, të japë të njëjtën diplomë, por nuk ka nevojë që fizikisht të jetë në të njëjtën godinë. Kështu që mund të gjejmë edhe një mënyrë se si njerëzve u thua janë të njëjtët mësues, është i njëjti përkushtim”, tha Veliaj.

Ai garantoi dhënien fund të mësimit me dy turne. Veliaj kërkoi mbështetjen për Kryeministrin Edi Rama si garanci për vijimin e investimeve në të gjithë kryeqytetin për përmirësimin e infrastrukturës dhe të cilësisë së shërbimit.