Transmetuar më 16-06-2017, 12:59

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj sot nga Farka, një lajm të mirë edhe për banorët që jetojnë në ish-komuna, të cilët përfitojnë nga ulja e çmimit të biletave të autobusit.

Ai deklaroi se falë negociatave me kompanitë e transportit publik, është arritur ulja më e madhe e çmimit të biletave për qytetarët.

 “Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme për të gjithë zonën lindore të Tiranës, duke filluar nga Kërraba, Baldushku, Bërzhita dhe stacionet që kalojnë në Farkë. Ne kemi pasur një takim dhe një negociatë që nuk ka qenë e lehtë, sepse siç e dini licencat e autobusëve janë dhënë nga ish-komunat, por megjithatë ne kemi bërë uljen më të madhe të tarifave që ka ndodhur ndonjëherë për linjat e autobusëve në fshat në Tiranën e madhe”, u shpreh ai.

 Gjithashtu, Veliaj premtoi se brenda dy viteve të ardhshme do të marrë fund edhe problemi i saktësimit të hartave të tokës.

 “Unë e di që një nga problematikat kryesore ka qenë saktësimi i hartave të tokës dhe regjistrimi i akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP). Fatmirësisht Prefekti, si ish-administrator njësie, e kupton fare mirë nevojën që kanë bashkia dhe prefektura për të bashkëpunuar për saktësimin e tokës dhe të kalojmë nga çudia me hartën e pronave, në një situatë ku secili merr aktin e marrjes së tokës në pronësi”, tha ai.

Veliaj deklaroi se Bashkia do të vijojë edhe projektin mbjelljen e pemëve të reja në kuadër edhe të projektit për Pyllin Orbital. Duke u ndalur tek investimet, Veliaj deklaroi se Bashkia do të vijojë bashkëpunimin edhe me donatorët për të përmirësuar infrastrukturën.