Transmetuar më 16-06-2017, 11:54

Pas vitit 2014 ka një mungesë totale informacioni në lidhje me të dhënat e sakta për numrin e aborteve, ndërkohë që kjo situatë është krijuar si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i vitit 2013 për të deleguar abortet drejt materniteteve shtetërore”.

Shqetësimi u ngrit nga UNFPA dhe organizata “Infinit Plus”, gjatë një tryeze ku të pranishëm ishin zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe gazetarë të fushës. Gjatë prezantimit theksi u vu te fakti se ky vendim ka sjellë një në raportim të rasteve të aborteve nga klinikat private, shkruan GSH.

“Evitimi i këtyre klinikave erdhi në atë kohë si pasojë e një sërë ngjarjesh me humbje jete pas abortit. Por, kjo dukshëm nuk ka ndodhur, pasi sipas raportimeve, vetëm 10% e aborteve janë bërë në sektorin privat. Kjo tregon se ka fshehje të të dhënave nga klinikat private edhe si kërkesë e adoleshentëve apo familjeve të tyre për të ruajtur anonimatin.

Ndaj të miturat japin moshë dhe emër të ndryshëm kur regjistrohen në klinika”, vlerëson UNFPA.

I pyetur në lidhje me këtë situatë, zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj pranoi se vendimi i atëhershëm ishte një masë e nxituar dhe nuk u mor në bashkërendim me institucionet e tjera, që do të mundësonin zbatimin e tij.

 “Marrja e këtij vendimi erdhi në të njëjtën kohë me krijimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Praktikisht ISHSH është një institucion i ri dhe nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të ushtruar kontrolle, por edhe përvojën e njohuritë e duhura për ta bërë këtë”.