Transmetuar më 15-06-2017, 18:31

Nga Kay-Alexander Scholz

Mjeti më i mirë kundër populizmit dhe thjeshtëzimit në politikë është të ruash gjakftohtësinë dhe të mos biesh në gracka emocionale të pakomandueshme dot. Pragmatizmi të mbron nga ideologjitë, modestia publike para pozave shou të rrezikshme. Pikërisht këto e karakterizojnë Angela Merkelin. 

Se çfarë mund të ndodhë, kur e hap shumë gojën dhe e vlerëson gabimisht situatën politike, këtë duhej ta përjetonte dhimbshëm, Theresa May. Ndërkohë Merkeli edhe pas dy zgjedhjeve të fituara në lande ka paralajmëruar se zgjedhjet parlamentare nuk janë fituar ende. Deviza: Qëndroni me këmbë në tokë. 

Megjithëse ajo ka arsye të brohorasë: Sfiduesi i saj, Martin Schulz u rrëzua përgjatë rrugës që pas daljes së tij bombastike, ngritja e habitshme e socialdemokratëve në sondazhe është shkrirë. Dhe populistët e djathtë të AfD-së janë rrudhur në shifra normale. Por kush e di si do të zhvillohen gjërat, ende kemi tre muaj para zgjedhjeve. 

Kancelarja në vitin e 12-të 

Por kush beson, se Merkel nuk ndjek qëllime ambicioze, gabohet. Vetëm se Merkeli nuk paraqitet si tellalli dhe shpesh i lë gjërat gjysmë hapur. Deklaratat e saj, se Europa tani një pjesë të mirë duhet të mbështetet tek vetja, pra se nuk mund të mbështetet më aq tek vëllai i madh në anën tjetër të Atlantikut, janë tipike. Pas tyre – fshihet një llogari tjetër – pas katastrofës Trump të arrihet një unitet i ri brenda unionit europian. Për shkak se kjo kërkon shumë punë, është më mirë t‘i shposh me ngadalë në publik dërrasa të tilla të trasha por pa ndalur, dhe jo të godasësh me çekiç. 

Në Europë Merkeli është prej kohës menaxhere krizash – Greqia, euro, Ukraina, refugjatët. Gjermanisë iu desh të marrë rolin e lideres, edhe sepse vende të tjera të BE-së bënë shumë pak. Gjatë këtyre krizave Merkelit i duhej edhe të mësonte: Që shteteve fqinje dhe vendeve të tjera nuk mund t’u dalësh përballë me qëndrimin se i di gjërat më mirë. Se nuk duhet të mbivlerësosh veten, ndryshe të tjerët tërhiqen dhe mbetesh vetëm, si në krizën e refugjatëve. 

Brenda Europës ka shumë për të bërë 

Tani Merkel të duket se është në pushtet prej kohësh që nuk mbahen mend. Kur të publikohet autobiografia e saj do të mund të lexojmë për shumë politikanë europianë. Merkel ka shumë pushtet jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë. Por nuk mund të thuash, se ajo planifikon të jetë liderja e botës së lirë, sipas disa analistëve. 

Merkel e di se do të mbingarkonte rolin e saj në politikë. Kjo edhe sepse në Europën „e vogël” ka shumë për të bërë. Kjo nuk prek faktin që Gjermania në rang ekonomik botëror merr një pozicion lideri. Merkel dëshiron të mos harrojë vendet që kufizohen me Europën. Shkaqet e largimit nga vendlindja dhe migracioni ajo dëshiron t’i luftojë në vendet origjinë, sidomos në Afrikë, dhe për këtë ajo ka startuar disa iniciativa. Por këtu nuk bëhet fjalë për politikën e madhe botërore, por për të ulur presionin e migrimit në Europë. 

Përgatitja e samitit të G20-s

Shumë analistë e interpretojnë më shumë se duhet vizitën e Merkelit në Amerikën Latine në dy vendet e G20-s, Argjentinën dhe Meksikën. Po farkëton Merkeli një aks të ri global? Me shumë gjasa jo – kujtojmë rrethanat e udhëtimit. Ai është planifikuar prej kohësh, dhe nuk është një reagim i shpejtë pas veprimeve të administratës Trump. Nga ana tjetër Gjermania ka presidencën e radhës së G20-s, të cilën do ta dorëzojë tek Argjentina. Për të pasur vazhdimësi në trajtimin e çështjeve globale qeveria gjermane flet për një troikë të Kinës (që e kishte presidencën para Gjermanisë) të Argjentinës (që e merr presidencën vitin e ardhshëm) dhe Gjermanisë. Edhe Meksika është pjesë e G20-s dhe partner i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë, në vitin 2018 ky vend do të jetë partner në panairin e Hanoverit. 

Krahas kësaj në korrik zhvillohet samiti i G20-s në Hamburg, kështu që është normale të akordohen pozicionet e vendit mikpritës me të tjerët. Natyrisht që këtu bëhet fjalë për tregtinë e lirë. E sigurisht, nëse një eveniment i tillë si G20-a zhvillohet me sukses, ai është edhe një lloj dhurate për fushatën zgjedhore të Merkelit. Angela Merkel nuk do të ishte ajo që është, nëse nuk do ta dinte këtë ta përdorte për vete avantazhin që i jep posti që mban aktualisht. /Deutsche Welle/