Transmetuar më 15-06-2017, 14:13

Paolo Maldini, legjenda e futbollit italian, i cili ka luajtur deri në 25 sezone me Milanin, ka dhënë mendimin e tij mbi dy bashkatdhetarët, që përfliten se do të lëvizin në merkaton e kësaj vere: portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma, dhe mesfushori i PSG-së, Marco Verratti.

Duke folur për “Calciomercato.com”, së pari tha se përparimi i portierit ka qenë mahnitës: “Kur Donnarumma ishte 12 vjeç mund të them se nuk ishte një portier i zakonshëm, ka pasur gjëra të veçanta, aftësi fizike dhe teknike, si dhe personalitet, shkruan telesport. Mihajloviq (trajner atëherë) ka kërkuar për ta afruar te Milani që nga dita e parë e sezonit 2014-2015.

Njerëzit i thanë atij që të mos nxitojë, sepse djali ishte vetëm 16 vjeç. Ai ka pritur disa lojëra dhe pastaj e aktivizoi.” Maldini foli edhe për të ardhmen e tij: “Unë do t’i rekomandoja atij për të qëndruar. Natyrisht, është i lirë për të zgjedhur, por duhet të qëndrojë te Milani, nëse është absolutisht i bindur. Konstatoj një presion të madh mbi supet e tij në këtë kohë merkatoje, por unë shpresoj se e gjitha kjo zhurmë nuk ndikon shumë.

Ai është 18 vjeç dhe nuk mund ta akuzojë kush për tradhtar, sido që të veprojë.” Në lidhje me Marco Verrati, Paolo Maldini e këshilloi atë të largohet nga ekipi francez: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm. Unë mendoj se do të ishte më mirë për të, nëse e lë ekipin e tanishëm. Do të ishte lojtar i përkryer për Barcelonën dhe Barcelona do të jetë e përkryer për të”.