Transmetuar më 15-06-2017, 10:15

Binjaket me kokën e ngjitur morën për 1 vjetorin e ditëlindjes së tyre dhuratën më të bukur në jetë. Vogëlushet Erin dhe Abby Delaney, të cilat në korrik mbushin 1 vjeç, u ndanë me sukses nga njëra-tjetra, falë një operacioni që zgjati 11 orë.

Vajzat kishin të bashkuar kokat e tyre, një gjendje e quajtur kraniopag. Erin dhe Abby, që janë nga Karolaina e Veriut ishin në kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Operacioni u realizua në një spital në Filadelfia, i cili deri më tani ka kryer 23 ndarje binjakësh.

Një zyrtar i spitalit tha se operacioni ishte organizuar me kujdes dhe se në të morën pjesë rreth 30 mjekë të fushave të ndryshme.

Ekipi i kryerjes së operacionit të ndarjes më 7 qershor përfshinte mjekë, infermierë dhe specialistë në neurokirurgji, kirurgji plastike dhe anesteziologji.

"Ndarja e dy binjakëve është një operacion shumë kompleks i ndjekur nga një shërim i gjatë dhe i komplikuar, por ne jemi shumë shpresëdhënës për një rezultat pozitiv", tha Dr. Jesse Taylor, kirurg plastik që ndihmoi në udhëheqjen e ekipit.

Operacioni përfundoi me sukses, ndërsa binjaket 10 muajshe janë ende nën kujdesin intensiv të mjekëve duke u rikuperuar dhe për herë të parë në jetën e tyre ato janë vendosur në shtretër të ndarë. Pavarësisht çdo vështirësie që kanë kaluar, ato tashmë kanë një jetë të re. /b.l/noa.al/