Transmetuar më 13-06-2017, 07:59

Nata Shna Ndout është me 12 qershor ku besimtarë të shumtë presin mesnatën që të vijë data 13 që është dita e Shna Ndout, duke besuar në mrekullinë e shenjtorit.

E veçanta e Kishës së Laçit në dallim nga festa të tjera në vende të shenjta është fakti se drejt saj nuk ngjiten, luten dhe shprehin dëshira vetëm besimtarët katolikë por edhe qytetarë të besimeve të ndryshme, duke u veçuar si një kishë që për qytetarët i kapërcen kufijtë fetarë.

…por kush të lë ta përjetosh festën pa shqetësime. Nata që lamë pas mes datës 12 dhe 13, ishte pikërisht momenti kulmor i kësaj feste, kur me qindra mijëra njerëz u ngjitën mes shkallëve për t’i gjetur mesnata në kishë.

Deri këtu nuk ka asgjë të panjohur, pasi të gjithë besimtarët e kanë marrë parasysh. Por ajo që prish humorin e këtij pelegrinazhi ndodh poshtë në qytetin e Laçit, aty ku mashtruesit e parkingjeve, fusin njerëzit në sherr, marrin lekët dhe ikin duke i lënë makinat varg njera pas tjetrës pa mundësi daljeje.

Në fotografitë që sjell noa.al shihet një nga djemtë e rinj i cili kompet bodrumin e një pallati disa katesh pranë qendrës së qytetit, e ofronte si parking për makinën.

Kushdo që ka qenë të paktën një herë në natën e mirë të Kishës së Laçit, e di fare mirë sikletin e parkimit të makinës, për shkak të fluksit të njerëzve por edhe prej namit të “skifterëve”.

Kështu një qytetar denoncon me foto tek Noa.al, mashtrimin e madh që i kushtoi atij dhe jo vetëm pritjen e agimit të së martës, në pritje të zhbllokimit të rrugës për makinën.

“Eja parkim këtu, i sigurt, kthehuni merreni makinën kur të doni. Nuk bllokohet dalja”, thotë djaloshi që shikoni në foto i cili për shkak të errësirës nuk duket mirë.

Sapo e parkon mjetin vjen fatura “500 lekë të reja ose 5 mijë lekë të vjetra”. Edhe kjo pavarësisht faturës së kripur që e kalon dhe zonën e ish- Bllokut në kryeqytet kapërdihet, sepse ndodh një herë në vit… por e keqja vjen në kthim.

Banori i shqetësuar denoncon te agjencia Noa.al se, “Sapo u kthyem ku e kishim futur makinën në parkim, rreth orës 00.40 pas mesnate, shkojmë për të marrë makinën dhe për t’u kthyer drejt Tiranës. ‘Rojat’ e parkingut ata që morën lekët ishin zhdukur dhe disa familjarë ishin mbledhur grumbull tek hyrja e bodrumit. Nuk kishin si të nxirrnin makinat. Kjo pasi përveç vendeve të parkimit të mjeteve, edhe rruga dalëse nga bodrumi- parking ishte bllokuar nga një varg makinash të cilat nuk lejonin mjetet e tjera të dilnin”.

Ai shton më tej se të rinjtë që u prezantuan si garant të parkingut nuk u shfaqën askund, por dërgonin dikë i cili thoshte që nuk kishte lidhje me parkimin, dhe ua ngecte fajin atyre.

Por fajësimi nuk jepte zgjidhje! Vetëm pas orës 04.30 të mëngjesit burrat dhe djemtë e bllokuar në parkimin ku kaluan natën, me të shtyrë të makinave me krahë mundën të krijonin një dalje të vogël, prej së cilës dolën mjetet, pas njëmijë manovrash.

Vetëm atëherë djali i fotos dhe shokët e tij, u shfaqën pa dhënë asnjë sqarim dhe pa kërkuar ndjesën më të vogël, duke thënë ndër dhëmbë “Ua futëm”.

Qytetari thotë se ata u dolën garant se mund t’i lëviznin mjetet në çdo moment, por u zunë rrugën dalëse nga tahmaja e madhe për para, duke bërë që gra fëmijë e pelq t’i zërë gjumi në hyrje të bodrumit famëkeq.

Rituali i 13-të të martave Peleginazhi i shenjtë i besimtarëve të feve të ndryshme fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa e këtij shenjti. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë të të gjitha feve, me qirinj në duar dhe me lutje të veçanta sfidojnë fatin e tyre, duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout. /a.y/noa.al