Transmetuar më 12-06-2017, 09:17

Ish- Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, njëherësh kryetari i LDK-së, pranon indirekt humbjen e zgjedhjeve.

Nëpërmjet një postimi të bërë mëngjesin e sotëm në Facebook, ai i’u drejtohet qytetarëve, për të cilët thotë se e dhanë vendimin e tyre në këto zgjedhje.

“Ju e dhatë vendimin tuaj në këto zgjedhje. Mbi të gjitha mbizotëroi zëri i kundërshtimit. LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit. Falënderoj të gjithë ata që ia dhanë besimin koalicionit tonë dhe kandidatit për Kryeministër, prof, Avdullah Hotit, i cili bëri një fushatë dinjitoze në të gjitha fushat”, shkruan Mustafa.

Deri më tani janë numëruar 91% e votave të zgjedhjeve të ditës së djeshme. Bazuar në rezultatet e deritanishme kryeson koalicioni PDK-AAK-Nisma me 34.60% të votave.

E dyta renditet Lëvizja Vetëvendosje me 26.75%, ndërsa i treti koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.81%.

Lista Serbe renditet e katërta me 5.54% Fjala me 1.06% dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës me 1.06%. Për Kryeministër garojnë tre kandidat, Albin Kurti i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK dhe Avdullah Hoti i LDK-AKR-Alternativa. /a.y/noa.al