Transmetuar më 11-06-2017, 13:29

Sheshi “Skënderbej” përveçse një qendër pedonale, ka tashmë edhe parkingun nëntokësor me mbi 300 vende, duke i dhënë zgjidhje problemit të parkimit të automjeteve në qendër të qytetit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, inspektoi sot ambientet e parkimit nëntokësor, i cili nga mëngjesi i sotëm është hapur për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët e Tiranës për pjesëmarrjen në koncertin e mbrëmshëm, i cili shënoi hapjen e sheshit “Skënderbej”.

“Besoj se sheshi ka marrë notën 10 nga vlerësimi që po i japin njerëzit që e vizitojnë. Fakti që mijëra qytetarë ishin dje në mbrëmje në koncert, ku disa prej tyre e gdhinë, kurse sot në mëngjes shumë të tjerë po e shijojnë sheshin “Skënderbej”, them se kemi bërë gjënë e duhur”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ky shesh është i vetmi sot në Europë i cili ka kaq shumë përqindje gjelbërim dhe një nga më funksionalët në gjithë hapësirën e tij.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë parkingun nëntokësor publik, për të cilit tha se ofron jo vetëm çmimet më të lira, por njëkohësisht standarde dhe siguri.

Veliaj shtoi se të ardhurat nga parkingjet publike bashkia i investon në mbjelljen e pemëve dhe investime të tjera publike si çerdhe, kopshte, shkolla.

Në parkingun nëntokësor të sheshit është vendosur një sistem i posaçëm për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike, duke e renditur Tiranën mes qyteteve të zhvilluara që aplikojnë një projekt të tillë.

“Banorët e njësisë 9 dhe 10 do të marrin kartën e rezidentit. Vetëm ata do të mund të parkojnë në lagjet e tyre; kurse punonjësit e bashkisë, apo kushdo tjetër që vjen nga rrethet, do të përdorin parkimin nëntokësor. Besoj se për këdo që vjen në Tiranë, nuk ka pasur kurrë shans të parkojë makinën te kali i Skënderbeut”, tha Veliaj.

Ai garantoi qytetarët që janë marrë të gjitha masat që sheshi të ketë të gjitha kushtet edhe për plotësimin e nevojave bazike. “Sot ka një ashensor për personat me aftësi të kufizuara, që mund ta aksesojnë parkingun; ka tualete, të gjitha me sensorë, si larja e duarve, ashtu edhe tharja, dhe u kërkoj të gjithëve që t’i shfrytëzojnë për të gjithë nevojat higjienike që kanë. Është hera e parë që kemi bashkuar në një projekt edhe këtë nevojë që qytetarët e kanë kërkuar në qendër të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Projekti parashikon që hapësira e parkingut të përdoret edhe për aktivitete të ndryshme, si panairet.