Transmetuar më 11-06-2017, 11:18

Edhe pse hapja zyrtare u bë dje në mbrëmje, sheshi “Skëndërbej” ka qenë edhe sot një nga pikat më të vizituara të Tiranës. Qindra qytetarë kanë shuar kureshtjen e tyre teksa kanë vizituar për herë të parë apo të dytë sheshin simbol të bashkimit të shqiptarëve.

Përveç sheshit i cili shërben tashmë vetëm si pedonale, interes për vizitorët e shumtë kanë qenë shatërvanët si edhe pjesa e gjelbëruara dhe pyllëzuar rreth sheshit. Nuk kanë munguar as grupe turistësh të huaj, të cilët janë ndalur në sheshin e sapoinauguruar.

Sheshi u hap dje në mbrëmje përmes një ceremonie të posaçme, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ndërsa grupe folklorike nga të gjitha trojet shqiptare mbajtën të mbërthyer deri në mesnatë mijëra qytetarë.