Transmetuar më 10-06-2017, 08:47

Kosova sot është në heshtje zgjedhore. Më shumë se 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote do të vendosin nesër, më 11 qershor për përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Ata kanë mundësinë që t’i votojnë kandidatët për deputetë pa afera korruptive duke mos ua dhënë mundësinë politike edhe një herë atyre që e kanë shkatërruar të ardhmen e KOSOVËS.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën më 11 qershor. kështu ka njoftuar KQZ-ja, e cila ka bërë të ditur se ka certifikuar rreth 30 mijë vëzhgues dhe ka bërë gati të gjitha materialet e nevojshme.

Nga ana tjetër edhe Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë ka hartuar planin operativ, ku një numri i konsiderueshëm i pjesëtarëve të PK-së pritet të angazhohen këtë të dielë.

Ndërkohë edhe përfaqësuesit e rrjetit të organizatave Demokracia në Veprim, kanë thënë se pavarësisht afatit të shkurtër kanë arritur t’i kryejnë të gjitha përgatitjet operuese për vëzhgimin e procesit zgjedhor, shkruan Zëri.

Me këtë rast, DNV-ja ka njoftuar se do t’i mbulojë të gjitha qendrat dhe vendvotimet suke përfshirë edhe vendvotimet në komunat veriore, por edhe komunat  tjera me shumicë serbe.

Ndërkaq në veri pritet të jetë i pranishëm edhe misioni i OSBE-së, mirëpo jo për t’i monitoruar zgjedhjet, por për të ofruar mbështetje teknike.