Transmetuar më 09-06-2017, 21:37

Fiks Fare solli këtë të premte rastin e një subjekti “call center” në Durrës, ku punëtorët nuk marrin rrogat dhe nuk u paguhen siguracionet. Disa punonjës të kompanisë “G.R Communication” u ankuan në redaksinë e emisionit investigativ. Të rinjtë nuk pranuan të dilnin publikisht, pasi kishin frik se, nëse i dilnin kundër pronarit nuk do të punonin dot më as në “call center” të tjerë. 

Fiksi solli me zë dhe figurë debatin mes pronarit të kompanisë dhe të rinjve që nuk kanë marrë rrogat. Konfrontimin e fundit që ata patën vendosën ta bënin publik dhe menjëherë ra në sy gjuha e pronarit, që ishte shumë e ashpër. Ai u kërkoi punonjësve që të tërhiqnin denoncimin që ata kishin bërë ndaj tij dhe pastaj do t’u kalonte paratë. 

“Tërhiqni denoncimin, pastaj ju kaloj rrogën. Kam bërë shumë për ju edhe me atë 10 mijë lekësh që ju kam dhënë. Unë e bëra hapin e parë, tani radhën e keni ju”, tha me tone të larta pronari italian, i xhiruar nga kamera e fshehtë. “Nëse nuk hiqni denoncimin është e kotë që flasim”, tha ai. 

Përveç bisedës me pronarin denoncuesit takuan edhe disa punonjës të kompanisë, të cilët pohuan se muajin e fundit i kishte hedhur lekët në bankë. “Këtë muaj na i hodhi në bankë, një për një. I ka hyrë frika pas denoncimit”, tha një punonjëse, ndërsa një tjetër theksoi se nuk e dinte nëse i paguheshin siguracionet tani, ndërkohë që muajt e mëparshëm nuk i janë paguar. 

Në këtë “call center” punojnë rreth 150 punëtorë dhe sipas denoncuesve, ata asnjëherë nuk janë siguruar. Pas këtyre fakteve, gazetarët e Fiksit tentuan t’i merrnin një intervistë pronarit të kompanisë, i cili nuk pranoi t’i përgjigjej asnjë pyetjeje të bërë nga gazetarja. “Dilni jashtë, nuk jeni të mirëpritur këtu. Nuk më intereson t’ju përgjigjem”, tha ai. 

Ndërsa ekonomisti i kompanisë nuk u përgjigj fare. Për të marrë një përgjigje zyrtare, grupi i xhirimit të emisionit shkoi në Inspektoriatin e Punës në Durrës. Drejtoresha e këtij institucioni, Silvana Maksuti deklaroi se ky subjekt është inspektuar në shtator të vitit 2016. 

“E kemi inspektuar në shtator të vitit 2016, duhet ta kishim inspektuar sërish në bazë të ligjit, por kemi numër të kufizuar inspektorësh ndaj nuk e kemi bërë. Ju falënderojmë juve që e ngritët këtë denoncim dhe ne do ngremë një grup pune menjëherë”, tha Maksuti.