Transmetuar më 08-06-2017, 20:07

Nga Afrim Krasniqi

“I korruptuar”, “karagjoz”, “bandit”, “gënjeshtar”, i paaftë”, “mashtrues”, “drogaxhi”, “shantazhues”…Nuk janë çunat e dehur në birrarinë e lagjes që po i flasin kështu njëri tjetrit, – janë tre burrat që kontrollojnë këtë vend, njëri kryeministër, njëri kandidat për kryeministër dhe tjetrin do ta kemi President pas korrikut. I thonë se ka të gjitha cilësitë negative, por e bënë President. I thonë se është kreu i mafias, por e bënë e duan ta mbajnë kryeministër. I thonë se ka të gjitha cilësitë anti-politike, por i thonë se është garancia e dy palëve, kryeministrit dhe presidentit të ri!

Shikojini si flasin nëpër mitingje, sesi tallen, sesi çirren kundër njeri tjetrit, sesi kërcënojnë dhe e thonë fjalën e fundit, sesi ngrenë në qiell partinë e tyre dhe denigrojnë Tjetrin, dhe mos harroni se pas 25 qershorit e 24 korrikut ata do veshin kostum tjetër, do jenë përfaqësues “të unitetit të popullit” apo “shërbëtor të popullit”.

Si është e mundur të denigrojë politika dhe institucionet deri në këtë pikë? Si është e mundur që të kemi President dikë, të cilin ata që e sapo e zgjedhorën e etiketojnë si e keqja e vendit? Si mund të bëhesh president kur thua publikisht se ata që të zgjodhën dhe ata me të cilët do të punosh janë e keqja e vendit? Si është e mundur të kemi kryeministër atë që e kanë akuzuar përmes mijëra letrave e takimeve si baron të mafias dhe shtetit autokratik dhe që pranon të ketë në kabinet e të emërojë zyrtarë kundër të cilëve flet gjithë ditën? Si është e mundur të kemi opozitë atë që quan sukses lëmoshën një mujore prej 4-5 ministrave që iu dha nga mazhoranca? Si është e mundur që i pranojmë, i lejojmë të sillen kështu, heshtim dhe nuk reagojmë? Si është e mundur që talljen me shtetin, politikën, qytetarët, zgjedhjet dhe demokracinë i pranojmë si normalitet, madje si sjellje trendy?

Si është e mundur që nuk nxorëm mësime nga gabimet e të kaluarës dhe kemi kaq shumë pasion të përsërisim të njëjtat gabime edhe në të ardhmen? Jo, ky vend meriton më shumë. Të paktën kështu kam besuar, dikur.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al