Transmetuar më 08-06-2017, 14:39

Presidenti Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani shtruan një darkë iftari në Pallatin e Brigadave, me rastin e Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.

Të pranishëm në këtë iftar gjatë mbrëmjes së mërkurë, ishin Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, Kryegjyshi Botëror Baba Mondi, drejtues e besimtarë të shumtë myslimanë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet Loreta Aliko, teologë, krerë e përfaqësues të bashkësive fetare shqiptare, etj.

Pasi shprehu mirënjohjen për praninë e tyre në këtë darkë iftari, Presidenti Nishani u uroi nga zemra besimtarëve shqiptarë kudo ku janë në këtë muaj të dhenjtë të Ramazanit, një agjërim sa më të lehtë: “që kjo periudhë, kjo sakrificë e përkushtim t’u kthehet në mirësi, në forcë e në kthjelltësi të mendjes e të shpirtit, në respekt për të afërmit, për komunitetin, për vendin tonë si dhe për të gjithë popullin shqiptar”.

 “Nga pozicioni i Kryetarit të Shtetit është kënaqësi në këtë darkë Iftari të shpreh respektin maksimal personal dhe atë institucional për të gjithë anëtarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe besimtarët për gjithçka kanë bërë në interesin e familjeve të tyre, të vendit, të kombit tonë”, u shpreh Presidenti Nishani.

 Kreu i Shtetit vlerësoi personalisht dhe institucionalisht sakrificat që besimtarët myslimanë shqiptarë bëjnë gjatë ditëve të shenjta të Ramazanit.

Presidenti Nishani gjatë fjalës së tij çmoi  lart rolin dhe kontributet historike të Komunitetit Mysliman Shqiptar e të udhëheqësve të tij fetarë e shpirtërorë si atdhetarë e patriotë, si përçues të emancipimit kulturor e shpirtëror të shqiptarëve që kanë mbajtur gjithmonë gjallë duke evidentuar harmoninë, respektin reciprok dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë.

“Të gjitha këto shpalosin vlerën e humanizmit e të forcës së besimit për t’i shërbyer të mirës e për të luftuar ngahera të ligën e të keqen”, tha Presidenti, duke u uruar edhe një herë mbarë besimtarëve myslimanë shqiptarë një agjërim sa më të lehtë e të mbarë.