Transmetuar më 02-06-2017, 17:45

Kryeministri Edi Rama, urdhëroi sot nisjen e punës së një Task-Force të posaçme për monitorimin e administratës publike me qëllim ndëshkimin e atyre nëpunësve shtetërorë që aktivizohen në fushatën elektorale gjatë orarit zyrtar të punës.

Kjo Task-Forcë përfshin tre ministri të kontrolluara nga PS dhe katër të PD, ndërsa ka përjashtuar plotësisht forcën e dytë të koalicionit të majtë qeverisës, LSI.

Efekti i mospërfshirjes së LSI, duket të jetë i menjëhershëm. Majlind Lazimi, Drejtori i Postës Shqiptare, është shkarkuar nga detyra, nën akuzën se është përfshirë në fushatë. Lazimi deklaroi pas urdhrit të ministres Milva Ekonomi, duke thënë se ai nuk mund të lirohet nga detyra pa një vendim të shoqërisë aksionere Posta Shqiptare.

Gjithsesi, duket se Lazimi do të zëvendësohet nga një drejtues tjetër, me shumë gjasa, i propozuar nga PD.

Vendimi i sotëm i qeverisë, i paraprin një vale të mundshme ndëshkimesh për punonjësit e administratës, që kapen nëpër aktivitete elektorale në orarin e punës, ose bëjnë propagandë nëpër institucione.

VKM sanksionon se “punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje”.

Po ashtu, nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari i ndalohet të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor; të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht; të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.

Punonjësit do të ndëshkohen edhe në rast denoncimesh me foto ose video, kur provohet se ato kanë shkelur rregullat që u miratuan sot nga qeveria.