Transmetuar më 28-05-2017, 17:22

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht pasditen e sotme se në Tiranë dhe rrethe u paraqitën për ndihmë mjekësore në repartet e urgjencës, 149 njerëz të cilët, që të gjithë ishin pjesëmarrës në mitingun e çeljes zyrtare të fushatës së Partisë Demokratike.

“Nga shërbimi i urgjencës së okulistikës, raportohet se që prej mëngjesit, numri i pacientëve ka ardhur duke u rritur. Janë 140 raste të paraqitura për të marrë ndihmën e parë, ku midis tyre 14 pacientë janë shtruar (deri në orën 16:00)”, – konfirmoi MSH e cila prej disa ditësh drejtohet nga ministër teknik, i propozuar nga PD.

Aktualisht në shërbimin e okulistikës në QSUT, po marrin shërbim 7 pacientë. Gjendja e tyre është e stabilizuar, por mosnjohja e agjentit shkaktar ka imponuar monitorimin nga afër të tyre për ndonjë komplikacion të mundshëm.

Edhe pacientët që janë paraqitur më vonë shprehin të njëjtat shenja klinike, të një intoksikacioni (helmimi), si: skuqje të syve, dhimbje të syve, marramendje, të vjella, turbullim shikimi, skuqje në zonat e fytyrës dhe qafës, marrje fryme dhe vështirësi në frymëmarrje.

Pas komunikimeve me spitalet rajonale dhe qendrat shëndetësore në vend raportohet se në Elbasan janë paraqitur 4 raste me suspekt konjuktivit si dhe në spitalin rajonal të Durrësit, 5 raste me të njëjtën diagnozë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se po ndjek me shqetësim gjendjen e pacientëve të paraqitur në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në rrethe, pas incidentit të ndodhur në aktivitetin e Partisë Demokratike.

MSh thotë edhe se po vijon komunikimet me organet shtetërore kompetente ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes. “Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Rendit dhe Drejtorinë e Policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, – thotë ministria.

Sipas referimeve të marra nga mjekët në shërbim, të gjithë këta pacientë kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Demokratike, një natë më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Mes pacientëve, rreth orës 5:00 të mëngjesit është paraqitur edhe lideri i opozitës z.Lulzim Basha me simptoma të ngjashme./noa.al/