Transmetuar më 25-05-2017, 18:21

Në Athinë, një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e sotme, ora 18.35 e Greqisë, duke shkaktuar plagosjen rëndë të ish kryeministrit grek, Lukas Papadhimos, pas një shpërthimi në automjetin ku ai ndodhej.

Bashkëpunëtori i NOA.al në kryeqytetin helen, raporton se z.Papadhimos u dërgua në spitalin shtetëror Evangjelizmos në Athinë, me dëmtime të rënda në bark.

Shpërthimi ndodhi në momentin kur ish kryeministri hapi një zarf ndërsa gjendej brenda makinës e cila ishte në ecje midis rrugës "3 Shtatori" dhe "Marni".

Papadhimos ka marrë dëmtime serioze edhe në duar e këmbë.

Edhe shoferi i tij është plagosur dhe ndodhet po ashtu në spital. Edhe automjeti pësoi dëmtime.

Makina që shoqëronte ish kryeministrin nuk pësoi dëmtime. 

Autoritetet greke flasin për dyshime se kemi të bëjmë me një akt terrorist, pa dhënë detaje të tjera. Në vendngjarje po kryhen hetime mbi shkaqet dhe autorët e këtij krimi.

Lukas Papadhimos ishte kryeministër në qeverinë teknike që pati Greqia para se postin ta merrte Aleksis Tsipras. /noa.al/