Transmetuar më 24-05-2017, 16:48

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka pezulluar nga puna drejtorin e Cirkut Kombëtar Kujtim Duni. Vendimi erdhi pas disa parregullsive që u shfaqen në një emision televiziv.

“Falenderojmë median që në misionin e tyre informues dhe kritik hodhën dritë në denoncimin e dukurive abuzive me detyrën shtetërore duke treguar qartë veprimin e jashtëligjshëm të drejtorit të Cirkut Kombëtar.

Garantojmë opinionin publik në qëndrimin tonë pa kompromis në mbrojtje të ligjit dhe detyrës publike, në marrjen e masave të menjëhershme për ndëshkimin dhe vënien para përgjegjësisë të drejtorit dhe te çdo punonjësi që guxon të bëjë pazar me postin publik!”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Në videon e transmetuar në emisionin “Stop”, një nga artistët e  cirkut thotë se Dumi  nuk i paguan ata për aktivitetet që kryejnë jashtë cirkut. “Nëse merresh me mua pa drejtorin jemi në rregull, pasi nëse futet drejtori i cirkut do të kërkojë më shumë dhe ne nuk do të na paguajë se do i marrë për vete”.

Në kamerën e fshehte shihet një qytetar, i cili takon drejtorin për një aktivitet privat, i cili do realizohej në Durrës. Gjatë bisedës, Dumi i kërkon qytetarit 700 mijë lekë të vjetra për ta angazhuar trupën e cirkut, që përfshin, akrobatë, xhongler, klloun për aktivitetin e tij në Durrës.

Në pamjet e transmetuara duket se si  qytetari e paguan në dorë drejtorin e cirkut. Gjatë bisedës Dumi pranon se ka përdorur artistët edhe në aktivitete të tjera jashtë institucionit që ai drejton. /b.l/noa.al/