Transmetuar më 24-05-2017, 15:44

Nga sot, banorët e bllokut të banimit në rrugën “Vëllezërit Manastirli” në kryeqytet kanë një lagje me rrugë, trotuare, lulishte e kënde lojërash për fëmijë krejt të reja. Pas gjashtë muajsh nga nisja e punimeve, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rruga “Muhamet Gjollesha”, rruga e “Durrësit”, rruga “Vëllezërit Manastirli” dhe nga rruga “Skënderbej” me një sipërfaqe totale prej 3.5 hektarë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi ndryshimin që ka pësuar kjo lagje, ndërsa theksoi se ajo është shembulli më i mirë se kur ka vullnet dhe dëshirë punët bëhen shumë mirë dhe në kohë rekord. “Më parë, blloku i Ambasadave ishte një ishull urban në mes të një xhungle totale, ku edhe ky shesh ku sot lodrojnë fëmijët në sfond ishte i zaptuar dhe shumë prej hapësirave të komunitetit kishin nevojë për çlirim. Sot kemi bërë më të mirën e mundshme”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se falë këtij investimi prona në këtë lagje ka marrë një tjetër vlerë, ashtu siç ka ndodhur në çdo investim tjetër që Bashkia e Tiranës ka bërë në kryeqytet. “Një nga treguesit kryesorë që në një lagje është investuar mirë është kur fillojnë dhe dalin tabelat e para që prona shitet ose jepet me qira. Në momentin që një lagje është e shkatërruar, asnjë nuk vjen të blejë pronë.

Fakti që në një pjesë të madhe të ballkoneve ka nisur të lëvizë tregu imobiliar dhe kanë filluar të dalin tabelat shitet, prona sot ka vlerë, prona sot ka asfalt nuk ka baltë, prona sot ka kanalizime, prona sot është vetëm një rrugicë që të ndan me rrugën kryesore, arterien e Tiranës, prona sot është realisht Blloku i Ambasadave dhe fakti që në shumë ballkone kanë dalë tabela shitet, do të thotë që më në fund edhe ekonomia këtu lëviz kur lëviz prona dhe tregu i imobilarëve”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai siguroi se transformimi që ka pësuar kjo lagje do të mbërrijë edhe në çdo lagje dhe rrugicë tjetër të Tiranës. “Jam shumë i fokusuar te puna, sigurohem që çdo ditë të ketë një punë konkrete në Tiranë. Dhe puna konkrete për ditën e sotme ishte kjo. Nesër do jetë diku tjetër, në një lagje tjetër dhe dua të inkurajoj gjithë qytetarët që teksa shohin shumë punë po bëhen, i kap pak dhe padurimi, se është vetëm çështje kohe. Po vazhduam me këtë ritëm që çdo ditë mbyllet një punë konkrete në Tiranë, është vetëm çështje kohe se sa të vijmë në secilën lagje”, theksoi Veliaj. /b.l/noa.al/