Transmetuar më 24-05-2017, 14:55

Policia e Kosovës konfirmoi se posedon informacione për vrasjen e një shtetasi të Kosovës në Siri, i cili është nga Mitrovica. “…mirëpo, referuar situatës në Siri, Policia e Kosovës nuk posedon informacion apo dokumentacion zyrtar për vrasjen e tij”, tha zëdhënësi, Baki Kelani.

Në familjen e të vrarit, me emrin Dush Smajli, është hapur morti. Ai, sipas të afërmve, është nga rrethina e Vushtrrisë, por jetonte në Mitrovicë, deri në momentin kur kishte vendosur të shkonte në Siri.

Pjesëmarrja në luftërat e huaja në Kosovë është e ndaluar me ligj. Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Për shkak të mungesës së informacioneve zyrtare, autoritetet e sigurisë në Kosovë nuk kanë shifra të sakta rreth numrit të saktë të personave të vrarë në luftën në Siri e Irak, shkruan Rel.

Ndërkaq, një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që disa të tjerë ende po përballen me drejtësinë.