Transmetuar më 24-05-2017, 14:32

Gjykata Supreme në Spanjë ka ratifikuar këtë të mërkurë dënimin prej 21 muajsh burgim për Lionel Messin. Vetëm babait të tij, Jorge, i është reduktuar dënimi në 15 muaj.

Më 7 korrik 2016, Gjykata Provinciale në Barcelonë e dënoi  yllin argjentinas të skuadrës katalanase të futbollit dhe babain e tij , Jorge Horacio, me 21 muaj burgim për tri vepra fiskale.

Gjithsesi nuk është e qartë nëse Messi apo babai i tij do të vuajnë dënimin pas hekurave. Në bazë të ligjit spanjoll një dënim që është nën 2 vjet burg për një person të padënuar më parë mund të shlyhet me punë në komunitet.

Gjithashtu gjykata e urdhëroi Messin të paguajë rreth 2 milion euro, si dhe babain e tij të paguajë 1.5 milion euro. Pas përfundimit të gjykimit dhe mbledhjes së provave u faktua se ylli argjentinas i Barcelonës kishte anashkaluar pagesën e mbi 4.1 milion eurove taksa nga periudha 2007-2009.

Organet hetimore përkatëse konstatuan mospagim taksash në Spanjë për të ardhurat (10.1 milionë euro) nga të drejtat e imazhit, përpara dhe gjatë asaj periudhe kohore. /b.l/noa.al/