Transmetuar më 24-05-2017, 10:19

Objektet e paidentifikuara të cilat fluturuan përtej kufirit verior, ishin ndoshta tullumbace propaganduese. Është kjo ajo që u deklaruar nga ushtria e Koresë së Jugut gjatë së mërkurës, pasi deklaruan se gjatë së martës objekte të paidentifikuara fluturuan nga Koreja e Veriut në zonën e demilitarizuar që ndan dy vendet.

“Objektet ishin në formën e tullumbaceve dhe fluturuan në drejtimin e erës përpara se të zhdukeshin. Ushtria jonë u përgjigj në përputhje me protokollin ushtarak”, tha një ushtarak i Koresë së Jugut për CNN.

Aktivistë të Koresë së Jugut dërgojnë rregullisht balona propaganduese drejt Koresë së Veriut, duke mbajtur fletushka ose video të lidhura në to.

Në muajin mars në disa balona u përcoll informacion lidhur me vrasjen e gjysmë vëllait të Kim Jong Un, Kim Jong Nam. Nuk është hera e parë që Koreja e Jugut ka reaguar ashpër ndaj një objekti të dërguar përgjatë kufirit të saj.

Koreja e Jugut u përgjigj me zjarr ndaj një avioni që kaloi pranë kufirit vitin e kaluar.

Gjendja në gadishullin korean është intensifikuar muajve të fundit, edhe për shkak të administratës së re të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili është zotuar të ushtrojë presion ndaj Koresë së Veriut, për t’u ulur në tryezën e negociatave.

Kjo pasi regjimi i Kim Jong Un ka shpeshtuar testet e raketave, duke kryer prova bërthamore, shkruan noa.al.

Duke folur në një konferencë të OKB-së mbi çarmatimin të martën, diplomati i Koresë së Veriut, Ju Yong Chol, mbrojti testet e tyre të raketave si akte të ligjshme të vetëmbrojtjes.

Ai gjithashtu e përshkroi Korenë e Veriut si një “pushtet bërthamor të plotë”. /a.y/noa.al