Transmetuar më 23-05-2017, 17:28

Terrorizmi goditi sërish në mënyrën e tij më mizore, me një çmenduri të shtyrë nga dëshira për të vrarë sa më shumë perëndimorë, e në shënjestër vuri të rinjtë e mbledhur në koncertin e Ariana Grande në Manchester, mbrëmjen e së hënës.

ISIS ka marrë përgjegjësinë e shpërthimit në Manchester Arena, ku humbën jetën 22 persona dhe 59 të tjerë mbetën të plagosur. Lajmi është publikuar nga agjencia e lajmeve të Shtetit Islamik Amaq, e cila thotë se një anëtar i saj ka kryer sulmin.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë policia ka arrestuar një 23-vjeçar, si i dyshuar në këtë sulm. Kryeministrja e Britanisë së Madhe  Teresa May ka ngushëlluar të gjithë familjarët e viktimave teksa në orën nëntë mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit të Emergjencës.

“Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”, ka thënë May përmes një deklarate për media.

Në rrëmujën e krijuar pas sulmit, disa fëmijë janë ndarë nga prindërit e tyre dhe ende nuk janë bashkuar. Një zëdhënës i kantautores Grande, ndërkohë, tha se ajo është mirë, por e “shkatërruar” nga lajmi.

Ndalesa në Manchester ishte pjesë e turit botëror të artistes 23-vjeçare, që po promovon albumin e tretë të saj, “Dangerous Woman”. Pas shpërthimit, në Britaninë që i afrohet zgjedhjeve lokale të 8 qershorit, u vendos pezullimi i fushatës elektorale. /b.l/noa.al/