Transmetuar më 23-05-2017, 16:31

Shoqata e mediave elektronike ka reaguar pas ligjit të miratuar dje në Kuvend, si pjesë e marrëveshjes mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ku detyrohen televizionet private të transmetojnë reklama falas për partritë politike gjatë fushatës elektorale.

Sipas marrëveshjes mes PS dhe PD televizionet private duhet të transmetojnë 90 minuta reklama falas për partinë më të madhe të shumicës parlamentare, 45 minuta reklama falas për partitë e tjera parlamentare si dhe 10 minuta reklamë falas për partitë jo parlamentare, përgjatë fushatës elektorale.

Shoqata e mediave elektronike thotë se ky ligj bie ndesh me dispozitat ligjore. Sipas Shoqatës, ligji i miratuar është dhunim i hapur i pronës private dhe shkelje flagrante e lirisë së medias. Shoqata u bën thirrje mediave që të mos e njohin këtë ligj.

Deklarata e plotë:

Me forcën e kartonëve, dje, partitë e mazhorancës se re, kanë miratuar në parlament një amendim të ligjit për partitë politike i cili i detyron radiotelevizionet private të transmetojnë falas reklamat e partive politike gjatë fushatës elektorale. Ky ligj është miratuar në shkelje flagrante të Kushtetutës e cila garanton lirinë dhe mbrojtjen e pronës private në Shqipëri. Gjithashtu bie ndesh hapur me dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili ka përcaktime të tjera për reklamat në fushatën zgjedhore. Ky ligj, është rasti i vetëm në botë që u jep të drejtë partive politike të detyrojnë mediat e lira dhe private t’u bëjnë shërbim falas.

Shoqata jonë, e konsideron dhunim të hapur të pronës private dhe shkelje flagrante të lirisë së mediave në Shqipëri. Ky akt banditesk, është një grabitje me ligj e financave të radiotelevizioneve private në interes të ngushtë të partive politike. Shoqata jonë, u bën thirrje të gjithë radiotelevizioneve në Shqipëri, të mos e njohin këtë ligj grabitqar, të hartuar dhe miratuar në kundërshtim flagrant brenda një mbasditeje, pa u respektuar procedurat parlamentare për hartimin dhe miratimin e ligjeve, pa u dëgjuar më parë aktorët e interesit dhe në fshehtësi të plotë edhe të vetë deputetëve të cilëve u është vënë në tavolinë vetëm pak minuta para votimit.

Ne u bëjmë thirrje mediave të respektojmë dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili prevalon mbi çdo ligj tjetër gjatë fushatës zgjedhore. Shoqata e Medive Elektronike u bën thirrje mazhorances së re PS-PD, të respektojë dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi sa u përket transmetimit të reklamave në radiotelevizionet private. Reklama falas nga një biznes privat nuk mund të ketë. Në rast se partitë nuk kanë arritur ti bëjnë kaq lekë, ose nuk duan ti tregojnë lekët që kanë bërë gjatë këtyre viteve në pushtet dhe opozitë, të pranojnë me ligj apo VKM që lekët e reklamave të tyre ti paguajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kanë propozuar më parë.

Në rast refuzimi, Shoqata do ta padisë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese dhe do ti drejtohet gjithë institucioneve ndërkombëtare  dhe atyre të mbikëqyrjes zgjedhore, duke e denoncuar si akt i grabitjes së pronës private në kundërshtim flagrant me çdo normë ndërkombëtare të funksionimit të lirisë së pronës private dhe lirisë së Mediave. Radiotelevizionet e kanë të pamundur të financojnë apo sponsorizojnë partitë politike në Shqipëri. /b.l/noa.al/