Transmetuar më 23-05-2017, 14:47

Një djalë i ri nga Fieri kapet duke lëvizur i armatosur, me një makinë luksoze në qytetin e Vlorës. Dritan Backa, 26 vjeç, banues në Fier u arrestua nga blutë e qytetit bregdetar gjatë ditës së sotme.

Ka qenë një postbllok i policisë në lagjen “Kushtrimi”, ai që ka bërë të mundur kapjen e tij, teksa po qarkullonte me automjetin tip “Volkswagen Touareg” me targë AA 334 KP.

Backa, sapo ka parë pikën e kontrollit të shërbimeve të policisë ka tentuar t’u largohej, por efektivët e policisë i janë vënë në ndjekje.

Kështu ai është kapur pranë vendit të quajtur “Ish-Fusha e Aviacionit”, lagja “Kushtrimi” Vlorë.

Ndërkohë, gjatë kontrollit që i është ushtruar në çantën e krahut është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip Zastava, dy krehëra dhe 22 fishekë.

Gjithashtu u bllokua mjeti Touareg. Ndaj të dyshuarit materialet i’u referuan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. /a.y/noa.al