Transmetuar më 23-05-2017, 13:26

Dërgohet në Itali mjeku anestezist Tefik Zhurda, i cili tentoi vetëvrasjen pasi pacientja 16- vjeçare Blerta Pepa vdiq në sallën e operacionit në spitalin privat “Continental”.

Për shkak të gjendjes së rëndë Zhurda, u transportua drejt spitalit të Peruxhia.

Tefik Zhurda tentoi fundin fatal, duke injektuar një preparat anestezie, pas vdekjes së adoleshentes.

E reja po i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale pasi kishte dëmtuar ligamentin e këmbës në orën e fizkulturës te shkolla “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet.

“Bazuar në vlerësimin e ekspertëve tanë të anestezi- reanimacionit të cilët punojnë në spitalin “Continental” si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre arritëm në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes sonë është hipertemia maligan”, u tha në deklaratën e spitalit “Continental”.

Hipertermia Maligna përfaqëson një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë. Ajo vjen si pasojë e një defekti genetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme të kryera para operacionit. /a.y/noa.al