Transmetuar më 23-05-2017, 12:44

Kryeparlamentari Ilir Meta, njëherësh Presidenti i zgjedhur i vendit përshëndet votimin e djeshëm në Kuvend, duke thënë se u bë zhbllokimi i zbatimit të reformës në drejtësi.

Ai deklaron se votimi i djeshëm në Parlament i shërben atmosferës dhe shpresës stabilitet për vendin dhe hap rrugën për çelje negociatash për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në këtë drejtim Meta vlerësoi angazhimin e aktorëve që kontribuan në këtë drejtim. “Të vazhdojnë në mënyrë konstruktive për të organizuar zgjedhje tërësisht transparente, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre larg çdo lloj presioni. Nuk mendoj se vajtja e zotit Rama në krahët e zotit Basha është diçka mjaft e sforcuar, është diçka interesante dhe pozitive dhe LSI ka kontribuar”, u shpreh Meta.

Ai tha se Edi Rama dhe Lulzim Basha kontribuues të dy forcave kryesore politike, kishin përgjegjësinë që përmes dialogut të gjenin zgjidhje.

Duke folur për gazetarët nga Kryesia e Kuvendit mesditën e sotme, shtoi se të gjithë duhet të jenë mjaft të kënaqur për këtë situatë të re ku ndodhet vendi pasi kriza ishte absurde dhe e pamerituar.

Sipas tij, nëse ka një forcë jo vetëm që nuk ka arsye për tu shqetësuar për këtë marrëveshje është LSI, për të cilën tha se ka punuar gjithmonë që të ketë dialog dhe konsensus dhe ka kërkuar qeveri besimi për zgjedhje duke mos përjashtuar Ramën Kryeministër, nëse i ofronte besim opozitës.

I pyetur nëse planet e LSI janë të hapura apo të mbyllura për Edi Ramën, ish- kryetari i LSI tha se planet e partisë që drejtohej prej tij, janë të hapura për të gjithë.

Në vijim shtoi se LSI duhet të falënderoj të dy kryetarët e partive më të mëdha politike, ndërsa pohoi se marrëveshja dëmton kryesisht partitë e reja.

Megjithatë ai mohoi që prej saj të dëmtohet LSI, duke thënë se “ndryshe nga ç’thonë gojët e liga, kjo marrëveshje e favorizon LSI”.

Duke kujtuar votat e zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ai deklaroi se LSI merr të paktën 34 deputetë. Më tej ai shprehu bindjen se LSI në këto zgjedhje ka të sigurta 4 mandate në Tiranë, 4 në Fier, 4 në Durrës, 4 në Elbasan etj., duke thënë se rritja në këto zgjedhje do të jetë progresive.

“Jemi në moment pozitiv të ecim përpara me qetësi, dashuri dhe pa xhelozi. Tani çdo gjë është e bukur, ka garë, demokraci, do të ketë surpriza. Surprizë në radhë të parë konsideroj rezultatin e zgjedhjeve”, deklaroi Meta. /a.y/noa.al