Transmetuar më 23-05-2017, 12:32

Ndonëse jetonin vetëm pak metra larg Sheshit Skënderbej, banorët e rrugës “Kajo Karafili” në Njësinë Administrative Nr. 10 përballeshin prej vitesh me baltën në dimër dhe pluhurin në verë, si pasojë e rrugës tërësisht të amortizuar e me gropa. Por, falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e sipërmarrjes private, rruga u ndërtua nga e para dhe ofron të gjitha standardet e nevojshme infrastrukturore.

Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë periudhën e verës për të investuar në të gjitha lagjet e Tiranës, përfshirë edhe ato të Njësisë Administrative Nr. 10. “Kemi nisur një sërë investimesh në Njësinë 10. Në shumicën e këtyre netëve, duke filluar nga qershori deri në shtator, do të jemi duke bërë investime, kryesisht asfaltime. Arsyeja pse zgjedhim periudhën e verës është sepse nuk ka shi, sepse moti është i ngrohtë, asfalti ngjit, ndaj kërkoj bashkëpunimin e të gjithë banorëve”, tha Veliaj.

Ai shtoi se me financat modeste të bashkisë, dashamirësia e njerëzve që dhurojnë diçka për qytetin, si në rastin e rrugës “Kajo Karafili”, është diçka që nuk i ka munguar kurrë shqiptarëve. Veliaj u kërkoi mirëkuptimin banorëve për çdo vështirësi që do të hasin gjatë kësaj periudhe, si pasojë e punimeve që do të kryhen në shumë zona të kryeqytetit.

“Aktualisht po punojmë në disa rrugë, “Kajo Karafili” ishte një prej tyre, “Mujo Ulqinaku” është një rrugë tjetër. Kemi mbaruar bllokun te tregu çam, bllokun te Shallvaret, kemi mbaruar disa nga blloqet e njësisë, por periudha e majit, shtatorit është periudha ideale për shtrimin e asfaltit, ndaj u kërkoj të gjithë banorëve pak mirëkuptim. Të mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht kohën e mirë, por edhe kohën kur njerëzit largohen me pushime”, shtoi Veliaj.

Ai nënvizoi se një mënyrë e mirë për të përmisuar jetën në komunitet, sidomos në pallate dhe ambientet e përbashkëta, është edhe Fondi për Komunitetin. Ai theksoi se banorët që janë organizuar dhe kanë zgjedhur administratorin, duke nisur nga dita e sotme mund të aplikojnë për të përfituar mbështetje financiare për meremetimet apo rikonstruksionin e pallatit. /b.l/noa.al/