Transmetuar më 23-05-2017, 11:10

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se mbrëmë u hodh një hap i rëndësishëm drejt zgjedhjeve të lira dhe Republikës së re.

Ai deklaron se Kuvendi shpalli ligjërisht krim serioz çdo lloj përpjekjeje apo veprimi që kufizon apo cenon vullnetin e lirë dhe votën e lirë të qytetarëve, pasi bazuar në ndryshimet në kodin zgjedhore shit- blerja e votës dënohet deri në pesë vite burg.

Më tej shton se dënime të rënda i presin matrapazët e zinj të blerjes së votës, kriminelët e rrugës dhe ata në poste shtetërore që kërcënojnë apo detyrojnë me forcë qytetarët të votojnë kundër vullnetit të tyre, komisionerët, numëruesit dhe punonjësit zgjedhorë që manipulojnë votimin dhe numërimin e votave.

Sipas tij, policët dhe ushtarakët të cilët në vend që të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhunojnë të drejtën e shenjtë të votës, punonjësit e shtetit që paratë dhe pasuritë që u takojnë qytetarëve i vënë në shërbim të partisë.

Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se me forcën dhe vendosmërinë që u tregua në 90 ditët e qëndresës, “ne do bëhemi barrierë ndaj kriminelëve zgjedhorë që ata të mos guxojnë të dhunojnë lirinë e votës, sepse do të humbasin lirinë e tyre”.

Në këtë linjë në një postim të bërë në Facebook, shton se puna e ndershme dhe kurajoze e ministrave teknikë, drejtimi i paanshëm i KQZ-së, kufizimi i shpenzimeve zgjedhore dhe masat e tjera që po ndërmarrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do u japin qytetarëve mundësinë dhe garancitë që të zgjedhin lirisht qeverinë që ata duan t’i drejtojë.

“Koha e maskarenjve po mbaron. Tani është koha për Republikën e Re, republikën e lirisë dhe demokracisë së vërtetë. Zgjedhje të lira, Republika e re”. /a.y/noa.al