Transmetuar më 23-05-2017, 08:52

Drejtuesit e rrjetit social më të madh në botë, Facebook kanë vendosur të lejojnë çdo lloj postimi nga individë apo kompani, nëse nuk kanë lidhje me lakuriqësinë dhe me etikën.

Mediat britanike “The Guardian” dhe “The Sun”, publikuan orët e fundit të dhëna mbi lejimin që Facebook po i bën postimeve që nga disa mund të konsiderohen shqetësuese.

The Guardian” njoftoi se ka arritur të zbulojë për herë të parë rregulloren sekrete të Facebook mbi lejimin ose jo të disa postimeve të dyshimta. Po ashtu “The Guardian” ka publikuar dhe pjesë nga komunikimi i stafit të Facebook lidhur me lejimin e disa postimeve me përmbajtje të papërshtatshme që të qëndrojnë në rrjet.

Në rregulloren e zbuluar, konstatohet se nuk do të censurohen aspak fjalët ofenduese që përdoren kryesisht për femrat.

Facebook vlerëson se komente të tilla si, “për të kapur qafën e një *urve, duhet ta shtrëngoni atë në fyt”, nuk përbën asnjë lloj problemi, pasi nuk i thyen rregullat.

Fjala banale, *urvë, është gjithashtu e lejueshme, pasi as shprehja e parë dhe as fyerja e dytë, sipas Facebook nuk janë “kërcënime të besueshme”.

Po ashtu stafi që kujdeset për lejimin ose jo të postimeve, këshillon që disa fotografi të fëmijëve që vuajnë nga abuzimi fizik apo ngacmimi seksual të konsiderohen si të rregullta nëse nuk ka një element të “sadizmit apo fetishizmit” në to.

Po ashtu pamje me abuzime të kafshëve mund të kalojnë, nëse nuk janë jashtëzakonisht shqetësuese.

Kjo rregullore gjithashtu lejon videot e vdekjeve të dhunshme, me të cilat Facebook thotë se mund të nxjerrë në pah çështjet mendore. Po ashtu lejohen edhe postimet mbi abortet për sa kohë që nuk ka lakuriqësi.

Muajin e kaluar, një burrë në Tajlandë transmetoi një video live duke varur vajzën e tij 11-muajshe si dhe duke vrarë veten.

Një rregullore e tillë vjen pasi Facebook, ka dy miliardë përdorues dhe për këtë arsye është gjithnjë nën presion për të kontrolluar përmbajtjen e postimeve që bëjnë përdoruesit e tij. /g.v/noa.al/