Transmetuar më 22-05-2017, 18:25

Pas votimit nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, për të qenë kandidat për kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri doli pasditen e sotme përpara mediave ku kërkoi bashkëpunim institucional, në mënyrë që KQZ ta ketë më të thjeshtë punën për zgjedhjet e ardhshme.

"U mbështet kandidatura në fjalë dhe do të kemi një votim formal. Për mua ky rast sigurisht që është sfidë, vlerësim dhe kënaqësi. Kam 20 vjet që aderoj në KQZ. Besoj jam i vetmi me këtë eksperiencë. Është ekipi ai që ia del. Patjetër që kërkojmë mbështetjen e të gjithë faktorëve të tjerë, të partive politike, të medias. Shpresoj që e gjitha trupa të gjejë arsyen që vendimet t’i marrin në zbatim të ligjit", tha Zguri

Ky i fundit u propozua nga Partia Demokratike për të qenë në krye të institucionit që merret me menaxhimin e zgjedhjeve, në bazë të marrëveshjes politike mes Ramës dhe Bashës.

Klement Zguri pasoi në këtë detyrë Denar Bibën, i cili pritet të emërohet nënkryetar i KQZ-së. /k.k/noa.al/