Transmetuar më 22-05-2017, 16:48

Kryeministri Edi Rama, në një takim me simpatizantët socialistë në Sauk, ka deklaruar se marrëveshja e nënshkruar me liderin e opozitës ka qenë në favor të Partisë Socialiste, e cila sipas tij iu imponua PD-së.

“Ne ia dolëm t’i imponojmë PD-së edhe ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi edhe zhbllokimin e vettingut. Dhe pa tjetër ia dolëm që PD të rikthehet në zgjedhje, sepse i duam në zgjedhje, sepse duam që të gjithë qytetarët të zgjedhin, sepse na shijon fitorja duke i mundur ballë për ballë sesa duke i lënë mbyllur në çadër”, ka deklaruar Rama.  

Rama ka theksuar se PS nuk shkeli Kushtetutën, nuk u tall me popullin dhe nuk shkeli ligjin kur shtyu datën e zgjedhjeve, “që përtej 25 qershorit nuk mund të shkonte”, ka thënë Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka sulmuar opozitën duke thënë se nuk di të bëjë shtet dhe se nëse zyrat rikthehen në duart e tyre, sipas kryeministrit themelet e ndërtuara në 3 vjet e gjysëm do shembet përtokë në 3 muaj e gjysëm.

“Ne socialistët jemi fuqia që di të drejtojë. Sot këtu jemi për zgjedhjet e 25 qershorit dhe është me rëndësi të flasim për atë që vjen. Dhe ajo që vjen ose të bëjmë shumë më shumë ose të lejojmë që ajo që kemi bërë të prishet. Ne jemi pala që bëjmë shtet, ata janë pala që e shkatërrojnë shtetin. Po ja u dhe atyre zyrat, ata shtetin nuk dinë as ta drejtojnë as ta mirëmbajnë. Zgjedhja në 25 qershor është një zgjedhje historike, sepse ose ndajmë dy epoka të historisë ose ja u rikthejmë në dorë atyre qeverinë dhe ju siguroj që themelet e ndërtuara në 3 vjet e gjysëm do shembet përtokë në 3 muaj e gjysmë”, tha Rama.

Më tej ai ka vijuar duke thënë se, “Nëse ju ka marrë malli për policisë që hanë fara, votoni PD. Nëse ju ka marrë malli për universitetet që pa shkuar fare të merrni diplomë, votoni PD. Nëse ju ka marrë malli që të fillojë nga e para historia e maturës shtetërore që bëhet kopje shtetërore, është shumë e thjeshtë, shkoni votoni Partinë Demokratike. Këto dhe shumë të tjera i keni të garantuara, që mos t’i marr me radhë”.

Kryeministri tha ndër të tjera se nga 16, synon të marrë 18 mandate në Tiranë nga zgjedhjet e 25 qershorit. “Nuk jemi engjëj, larg qoftë por në sheshin e betejës politike jemi shqiptarët më të mirë. Kështu që besoj se këtu në Tiranë ne meritojmë dhe s’kërkojmë asgjë më shumë se sa na kërkon në 18 mandate”,- tha ai. /b.l/noa.al/