Transmetuar më 22-05-2017, 15:03

Në ditën kombëtare në ndihmë të jetimëve, kreu i Kuvendit, Ilir Meta foli për problemet që kjo shtresë e shoqërisë ka sot në arsim, punësim dhe kujdesin shëndetësor.Duke e cilësuar këtë kategori si një nga shtyllat kryesore të emancipimit të një shoqërie, Meta tha se problemet e këtyre fëmijëve nuk zgjidhen si bamirësi, por kanë nevojë për politika të vazhdueshme.  

“Solidariteti njerëzor me fëmijët jetimë është shtyllë e rëndësishme e emancipimit dhe humanizmit të një shoqërie bashkëkohore. Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë probleme. Ka sfida në arsim, punësim dhe kujdes shëndetësor. Organet e qeverisë vendore duhet të angazhohen edhe më shumë për strehimin e jetimëve. Më shumë punë për jetimët do të thotë një shoqëri më e mirë dhe e drejtë. Jetimët ndërpresin studimet për të garantuar mbijetesën. Por, arsimimi i plotë jep më shumë mundësi për të ardhura më të mira”, tha Meta.

Ai shtoi se politikat e shtetit nuk duhet të vijnë asnjëherë si bamirësi dhe as si pjesë e një fushate politike apo dekori të tillë, por si një politikë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, si një zbatim i të drejtave ligjore dhe të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha si pjesë e një filozofie gjithëpërfshirëse. 

“Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë ende mjaft probleme komplekse në sfidat për arsimimin e tyre, në mundësitë për punësim, në kujdesin shëndetësor dhe natyrisht edhe në kushtet e pamjaftueshme për të garantuar një strehë dhe deri te mbrojtja nga çdo lloj diskriminimi. Ndaj tyre dhe problemeve me të cilat ata përballen duhet të reagojmë të gjithë në vazhdimësi, me vëmendje dhe vendosmëri”, shtoi Meta. /b.l/noa.al/