Transmetuar më 22-05-2017, 14:17

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 9 në Bashkinë e Tiranës.

I pranishëm në këtë takim ishte Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili, i cili shoqërohej nga kandidatet për deputete të LSI-së për qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi dhe Eriona Bixha etj.

Duke evidentuar punësimin dhe arsimimin e të rinjve si një nga problematikat kryesore, z. Vasili u shpreh në fjalën e tij se programimi elektoral i LSI-së parashikon një punësim real për të rinjtë dhe që garanton hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës.

“LSI premton ato që realizon dhe ka një premtim shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm: në katër vjetët që vijnë, nën drejtimin e LSI-së forcë e parë, 100.000 punësime për të rinjtë. Pra 100.000 vende pune për të rinj është një objektiv i qartë, i menduar mirë dhe që do të realizohet në drejtimin e LSI-së në katër vjetët që vijnë”,- theksoi z. Vasili duke shtuar se kjo mbështetje që Lëvizja Socialiste për Integrim i jep të rinjve është edhe një nga arsyet kryesore se përse LSI do të dal forcë e parë në zgjedhjet parlamentare.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, i cili shprehu edhe një herë mbështetjen e tij për të rinjtë dhe të rejat dhe vlerësoi kandidatet e reja. /b.l/noa.al/