Transmetuar më 22-05-2017, 12:50

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, apelon gjithë qytetarët që të kursejnë ujin e pijshëm.

“Ta mbyllin çezmën nëse nuk e përdorin ujin, të mos lajnë tapetet dhe të mos ujisin bahçet me ujin e pijshëm, të mos i lajnë rrugët sepse nuk ka sot pikë logjike që uji i pijshëm të përdoret në këtë mënyrë, në momentin që Tirana është bërë me një milionë banorë”, u shpreh ai.

Deklarata e tij u bë teksa inspektoi punimet pranë “Shkollës së Baletit” për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në rrugën “Mihal Grameno”.

“Rikthehemi në rrugën ‘Mihal Grameno’ pas 50 vitesh, një rrugë e cila ishte planifikuar vetëm për disa qindra banorë. Kurse, sot ky është një investim që katërfishon kapacitetet për ujërat e zeza, ujërat e bardha dhe krejt papritur rruga ‘Mihal Grameno’, nga një rrugë e cila ishte një përrua, sot sistemohet dhe është një tjetër rrugë që u shpëton përmbytjeve dhe që i rikthehet urbanizimi dhe infrastruktura e nevojshme për ujin e pijshëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku garantoi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të jetë e pranishme me investimet e saj për përmirësimin e infrastrukturës, pavarësisht periudhës së fushatës zgjedhore apo stinës së verës.

Gjithashtu, kreu i bashkisë ftoi të gjithë banorët e kësaj njësie që të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i komuniteteve” i vendosur në dispozicion nga Bashkia e Tiranës për të përmirësuar infrastrukturën në komunitetin e tyre. /a.y/noa.al