Transmetuar më 22-05-2017, 11:33

Partia Aleanca Popullore e Artur Dojakës ka tërhequr sot ankimimin për listat e kandidatëve për deputetë nga Kolegji Zgjedhor. Dojaka tha se e tërheq padinë ku kërkon pavlefshmërinë e listave dhe se kërkon të pushohet çështja.

“Nuk ishte një tërheqje por ishte një rishqyrtim i rrethanave të reja, për arsye se ne dje jemi njohur që presidenti ka dekretuar një datë të re që ende nuk është legjitimuar nga KQZ dhe ajo që ne bëmë sot ishte pranim i pushimit të çështjes, pra jo tërheje me qëllim që të hapet edhe për ne hapësira për tu regjistruar  në zgjedhje.

Për arsye se nëse KQZ do të miratojë 25 qershorin bazuar në marrëveshjen e dy partive ku është e qartësuar që partitë opozitare janë të thirrura deri në 26 maj për të regjistruar kandidatët për deputetë në mënmyrë paradoksale AP që nuk është pjesë e opozitës mbetet jashtë zgjiedhjeve”, u shpreh Dojaka.

Në seancën që u zhvillua ditën e sotme, nga 15 përfaqësues të partive që janë regjistruar në KQZ morën pjesë  LSI, Partia Komuniste, Partia Kristian Demokrate dhe Partia Socialiste.

Pak ditë më parë edhe Partia Agrare Ambientaliste e tërhoqi kërkesën për ankimim, pasi sipas kryetarit të saj Agron Duka pas marrëveshjes që fut opozitën në zgjedhje, ajo padi nuk ka më vlerë. /b.l/noa.al/