Transmetuar më 22-05-2017, 09:19

Një i ri i dyshuar për vjedhjen e 40 milionë lekëve të vjetra në një shtëpi në Fier, është arrestuar nga policia.

Aris Zhavari, 22 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori” Fier, u arrestua gjatë ditës së djeshme, pas informacioneve që çonin tek ai.

Ndalimi i tij u bë pasi pasditen e së shtunës, në bashkëpunim me 15- vjeçarin S.K., i cili u arrestua pas ngjarjes nga policia dhe një person tjetër të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, kanë kryer vjedhjen.

Ata akuzohen se kanë vjedhur shumën prej 4 milionë lekë të reja në banesën e shtetasit D.L., 48 vjeç, banues në lagjen “8 Shkurti” Fier.

Mësohet se të rinjtë kishin informacion se i dëmtuari mbante shumën e parave në banesë, dhe kanë gjetur momentin për t’u hedhur në sulm. Gjithçka pasi i kanë kërkuar djalit të të dëmtuarit i cili ishte biznesmen, të luanin PlayStation në shtëpinë e tij.

Teksa njëri nga tre shokët ka qëndruar me djalin e 48- vjeçarit, dy të tjerët kanë bërë vjedhjen.

Hetimet ndaj të dyshuarve janë ende në vijim, ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al